Ish-trajneri i përfaqësueses angleze, Stiv MekKlaren, ka shprehur simpati për Roi Hodgson dhe situatën që ai po kalon në stolin e “tre luanëve” rreth zgjedhjeve që ka bërë në Euro 2012. Trajneri aktual i Tuente, që ka kaluar 16 muaj të dështuar në stolin e Anglisë, mendon se Hodgson ka vepruar si e mendonte më të përshtatshme duke zgjedhur Xhon Terrin para Rio Ferdinand.
Mbrojtësi i Mançester Junajtid është injoruar në vazhdimësi, pasi nuk ka marrëdhënie të mira me mbrojtësin e Çelsit, sepse ky i fundit akuzohet se ka përdorur fyerje raciste kundër vëllait të tij. Në një situatë të tillë, Hogdson e sheh të arsyeshme të mos e marrë Ferdinand në kombëtare, për të evituar probleme të mundshme.
“Çfarëdo të bëjë, Hodgson është gjithsesi i humbur në këtë situatë. Ai e ka marrë vendimin e tij. Do të jetë shumë i debatueshëm, por i është dashur të tregje forcë dhe të vazhdojë t’i qëndrojë vendimit të marrë”, tha MekKlaren.
“Ai u përpoq të evitojë cirkun mediatik që do të vazhdonte pafundësisht. Imagjinojeni interesimin e mediave për Terri dhe Ferdinand çdo ditë në hotel dhe me histori të shpikura gjatë stërvitjeve. Mendoj se ai u detyrua të zgjidhte mes tyre dhe zgjodhi Xhon”.
“Jam i sigurt se në një botë pa polemika, ai do t’i zgjidhte të dy, pasi Ferdinand është një lojtar fantastik, ka kaluar një sezon të shkëlqyer me Mançester Junajtid. Por aktualisht Xhon Terri është një pikë kyçe për kombëtaren angleze, si pjesë e saj, si kapiten dhe si lider”, shpjegoi ish-trajneri i Anglisë.
“Kur je i mbyllur në një hotel për 6 javë, gjëja më e rëndësishme është të bësh maksimumin për të evituar situata që prishin harmoninë”. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 05 June 2012 13:20