Kroacia ka pësua një goditje shumë të rëndë pasi mësoi se sulmuesi i saj Ivica Oliç nuk do të marrë pjesë në Euro 2012, pasi ai u dëmtua në miqësoren kundër Norvegjisë.
Skanimet bënë të qartë se ish-sulmuesi i Bajern Mynih duhet të qëndrojë pushim 4 deri në 6 javë për t’u riaftësuar nga ky dëmtim e si rrjedhojë nuk mund të ndihmojë kombëtaren e tij në këtë aktivitet. Në vend të tij është thirrur futbollisti i Dnjepros, Nikola Kaliniç.
“Kjo është një katastrofë për ne. Nuk mund ta imagjinoni. Nuk është një goditje, nuk është një problem, është një katastrofe. Ai është një lojtar unik”, ishte komenti i menjëhershëm i trajnerit Bilic.
“Ne kemi shumë lojtarë të mirë por Oliç është i pazëvendësueshëm, pasi në Evropë nuk ka lojtarë të tjerë si ai. Nuk është një goditje e rëndë, është më shumë se kaq”.
Oliç tashmë do të kthehet në shtëpi dhe do të mendojë të riaftësohet për të filluar në gjendjen më të mirë fazën përgatitore me ekipin e tij të ri, Volfsburg, me të cilin ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare.
Ndërsa Kroacia do të fillojë fushatën në Euro 2012 përballë Irlandës të dielën pasdite. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 05 June 2012 10:50