Atletiko Mineiro ka konfirmuar se ka nënshkruar me Ronaldinjon, pak ditë pasi ky i fundit prishi kontratën me Flamengon. Futbollisti u largua nga ish-klubi i tij të premten dhe ka hedhur në gjyq drejtuesit e kësaj skuadre, të cilët sipas tij i detyrohen rreth 20 milionë dollarë në rroga të prapambetura.
Ai u vu menjëherë në kërkim të një skuadre të re dhe çuditi të gjithë duke zgjedhur një klub si Atletiko Mineiro, që nuk ka shumë famë dhe as shumë para. Deri në fundin e këtij viti, Ronaldinjo do të përfitojë vetëm 150 mijë dollarë në radhët e kësaj skuadre, shumë më pak se sa i ofrohej nga klubet aziatike dhe arabe që i kishin bërë oferta që kapnin shifrën 10-15 milionë dollarë në vit.
“Ai nuk është thjesht një lojtar, ai është Ronaldinjo. Unë kam një reputacion se jam i çmendur, por nuk jam aq i çmendur sa të hedh poshtë shansin për të firmosur me Ronaldinjon”, ishin fjalët e presidentit të skuadrës braziliane, Aleksandre Kalil.
Futbollisti ka dalë në stërvitje që dje me skuadrën e tij të re, ndërsa pritet të debutojë të mërkurën në ndeshjen e kampionatit brazilian kundër Bahia. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 05 June 2012 08:40