Akordi për transferimin e argjentinasit Ezekuiel Laveci është “shumë pranë përfundimit”, sipas asaj që ka konfirmuar drejtori i përgjithshëm i klubit parisien, Leonardo për agjencinë “AFP”. Futbollisti 27 vjeçar, që iu bashkua Napolit nga radhët e San Lorenco në vitin 2007, ka qenë prej shumë javësh nën vëzhgimin e PSZH por edhe Interit.
Sipas burimeve pranë klubit francez, ai do të plotësojë transferimin e tij menjëherë sapo të hapet dritarja e merkatos evropiane, me 13 qershor, ndërsa pritet të firmose një kontratë për 4 apo 5 sezone me këtë klub. PSZH duket se do të paguajë menjëherë 26 milionë euro për kartonin e futbollistit të Napolit, ndërsa 5 milionë euro do të jenë bonuse në varësi të arritjeve. Mendohet se lojtari do të përfitojë 400 mijë euro në muaj në kontratën e tij të re, një rritje e trefishtë në krahasim me atë që përfitonte aktualisht te skuadra italiane.
Ndërkohë, burime të tjera pranë klubit kanë bërë të ditur se parisienët kanë folur me menaxherin e Ibrahimoviç, duke kërkuar që të marrin edhe sulmuesin suedez të Milanit. Ndonëse Leonardo e ka hedhur poshtë këtë hipotezë, mediat franceze kanë bërë të ditur se klubi ka bërë një ofertë prej 34 milionë eurosh për të marrë sulmuesin që u shpall golashënuesi më i mirë në Itali në sezonin e fundit. (LajmeShqip.com)
Monday, 04 June 2012 20:22