Mbrojtësi i majtë i Brazilit dhe Real Madrid, Marselo, ka folur me superlativa për Lionel Mesin, duke e cilësuar argjentinasin si futbollistin më të mirë në botë, ndonëse shoku i tij më i ngushtë te ekipi madrilen, Kristiano Ronaldo, mendon se është ai më i miri.
Brazili do të luajë kundër Argjentinës të shtunën dhe do të kërkojë të marrë veten nga humbja 2-0 ndaj Meksikës që ndali një seri prej 8 fitoresh radhazi të Seleçaos.
Megjithëse Marselo ka luajtur shumë herë kundër Mesit në nivel klubesh, ai thotë se ka gjithmonë një ndjenjë të veçantë kur vihet përballë yllit të Barcelonës, të cilin e vlerëson më të mirë se shoku i tij te Real Madrid, Kristiano Ronaldo.
“Aktualisht, Mesi është lojtari më i mirë në botë dhe është një kënaqësi të luash kundër tij”, tha ai për “Globoesporte”. “Të shohim se çfarë do të ndodhë në këtë ndeshje, nëse mund ta markojmë atë”.
“Argjentina është një skuadër më sulmuese se Meksika ndaj ne do të kemi më shumë hapësira për lojën tonë. Por duhet të jemi të kujdesshëm, pasi ata mund të shënojnë gola më lehtësisht. Nuk mund të flasësh për një apo dy lojtarë, e gjithë skuadra e tyre është e rrezikshme. Por edhe ne kemi lojtarë të mirë dhe do të mundohemi të marrim një rezultat të mirë”, tha mbrojtësi i Real Madrid dhe kombëtares së Brazilit. (LajmeShqip.com)
Monday, 04 June 2012 19:57