Trajneri i Milanit, Masmiliano Alegri ka thënë se është “99% i sigurt” se Tiago Silva do të vazhdojë të veshë fanellën kuqezi edhe në sezonin e ardhshëm. Mbrojtësi brazilian mendohet se është kthyer në objektivin e merkatos së klubeve më të fuqishme ekonomikisht në Evropë, me Paris Sent Zhërmen, Barcelona dhe Mançester Siti që janë gati të paguajnë 40 milionë euro për futbollistin.
Por Alegri është i bindur se presidenti Silvio Berluskoni nuk do ta lërë t’i ikë nga dora pasuria më madhe që ka ky klub për momentin.
“Them se Tiago Silva do të qëndrojë me 99% te ne. Ai është mbrojtësi më i mirë në botë, tre nivele mbi të gjithë të tjerët. Largimi i tij do të ishte një humbje e rëndë, pasi ai është një kampion dhe ka pak të tillë në qarkullim”.
“Të mos harrojmë që në kemi një president si Berluskoni i cili ka ambicie dhe një dëshirë për të mbajtur skuadrën në nivele më të larta. Meqë është një njohës i mirë i futbollit dhe ka fituar kaq shumë tituj, ai e di se të humbësh Tiago Silvën do të thotë të humbësh një pjesë të rëndësishme të Milanit”, shpjegoi Alegri.
Trajneri ka bërë të qartë se pret me padurim dhe kthimin në formën maksimale të Aleksandre Pato, i cili gjatë sezonit që u mbyll ka patur vazhdimisht probleme fizike.
“Një nga blerjet tona për sezonin e ardhshëm do të jetë Pato, cili sigurisht nuk ka harruar si të shënojë gola dhe të cilin praktikisht nuk e kemi patur në dispozicion për të gjithë sezonin e fundit”, u shpreh trajneri 44 vjeçar. (LajmeShqip.com)
Monday, 04 June 2012 15:25