Kapiteni i përfaqësueses angleze të futbollit, Stiven Xherard, ka pranuar se është i “inatosur” me faktin që Anglia po humb kaq shumë lojtarë të domosdoshëm falë dëmtimeve të njëpasnjëshme në fazën përgatitore të Euro 2012.
Mbrojtësi Geri Kahill iu shtua listës ku bën pjesë Frenk Lampard, Garet Berri dhe Xhon Rudi, të katërt të larguar nga grumbullimi i kombëtares dhe të katërt futbollistë që do të ishin pjesë e 23 lojtarëve që do të grumbulloheshin në Euro 2012.
“Largimi i Gerit është një goditje masive. Paraqitjet e tij në 6 muajt e fundit kanë qenë kolosale për Çelsin. Ai ishte një kolos në finalen e Ligës së Kampioneve të fituar përballë Bajern Mynih. Na nevojitej prania e tij”.
“Jam i inatosur pasi kemi humbur disa lojtarë të mëdhenj para një turneu kur mbeteshin edhe 8-9 ditë nga fillimi i tij. Kjo ishte një goditje dhe një çmim që na u desh të paguajmë për këto miqësore përgatitore”.
“Që të paraqitesh mirë në këto turne, duhet të kesh në dispozicion lojtarët e mëdhenj dhe humbja e Gerit është një tjetër goditje e rëndë për ne pas largimit të Lampard dhe Berri”, ishin fjalët e kapitenit të Anglisë. (LajmeShqip.com)
Monday, 04 June 2012 11:33