Xhovani Dos Santos dhe Havier Hernandez shënuan në pjesën e parë të takimit ndërsa Meksika mundi 2-0 Brazilin në miqësoren e të dielës, duke mbyllur në mënyrë të suksesshme përgatitjet para eliminatoreve të Botërorit 2014.
Kjo ishte ndeshja e dytë radhazi që të dy sulmuesit shënojnë nga një gol për kombëtaren e Meksikës, e cila do të luajë ndaj Guajanas të premten për të hapur turin gjysmëfinal të kualifikueseve të Botërorit për zonën e CONCACAF.
“Ndeshja ishte perfekte, pasi mundëm një kundërshtar të fortë dhe përgatitëm veten për kualifikueset”, ishte komenti i trajnerit meksikan, Hose Manuel De La Torre. Dos Santos shënoi golin e parë në minutë e 22-të, me një gjuajtje diagonale spektakolare, duke kaluar topin mbi portierin e ri brazilian, Rafael Kabral.
“Ajo ishte thjesht fat, ai po mundohej të harkonte në zonë dhe shënoi pa dashje”, ishte komenti i trajnerit të Brazilit, Mano Menezes.
Por sulmuesi meksikan tregoi vlerat e tij pak më vonë, kur fitoi një penallti pas një ndërhyrje të gabuar të Huan Hezus në zonë. Nga pika e bardhë gjuajti Hernandez i cili shënoi golin e dytë duke entuziazmuar tifozët e shumtë të pranishëm në stadium, të cilët iu gëzuan këtij suksesi si të ishte një ndeshje zyrtare dhe jo një miqësore ku Brazili kishte përdorur kryesisht ekipin olimpik. (LajmeShqip.com)
Monday, 04 June 2012 10:41