Boston ka treguar se është një skuadër shumë më e fortë sesa mendohej dhe ka arritur të mundë përsëri Majemin 93-91 për të barazuar në 2-2 serinë e finales së Konferencës së Lindjes. Vendasit arritën të merrnin kryesimin dhe të shkëputeshin 18 pikë gjatë pjesës së parë të ndeshjes, falë një lojë të shkëlqyer të 5 titullarëve që kaluan të gjithë kuotën e 10 pikëve të shënuara.
Por në pjesën e dytë të ndeshjes, Xhejms dhe Uejd fillojnë përmbysjen dhe arrijnë të barazojnë rezultatin në 89-89, duke e çuar ndeshjen në kohën shtesë. Dy skuadrat luajnë tërësisht në mbrojtje dhe është shumë domethënës fakti që në 5 minuta lojë, Boston shënon vetëm 4 pikë e Majemi vetëm 2. Uejd kishte në duar gjuajtjen e fundit, por nuk arriti të realizonte koshin për tre pikë që thuajse do t’i kishte siguruar finalen e madhe Majemit.
Tani seria zhvendoset përsëri në Florida, ku Xhejms dhe Uejd do të mundohen të ruajnë faktorin fushë, i cili ka marrë një rëndësi shumë të madhe gjatë kësaj serie. (LajmeShqip.com)
Monday, 04 June 2012 10:12