Trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, është siguruar për vazhdimësinë e punës së tij, pavarësisht asaj që mund të ndodhë në Euro 2012.
Gjermania shkon në këtë turne si një prej favoritëve, por një humbje 5-3 përballë Zvicrës një javë më parë dhe një fitore pa shkëlqim 2-0 ndaj Izraelit kanë bërë që të shuhet disi entuziazmi para se skuadra të udhëtojë drejt Polonisë për pjesëmarrjen në këtë aktivitet.
Gjermania u mund edhe nga Franca në një prej miqësoreve të këtij viti dhe drejtuesit e ekipit kanë bërë të qartë se objektivi kryesor për momentin është të kalohet faza e grupeve, ku ka kundërshtarë shumë të fortë si Portugalia, Holanda dhe Danimarka. Nëse nuk arrihet ky objektiv, trajneri Joakim Lëv nuk do të cilësohet përgjegjës, sipas asaj që konfirmoi vetë drejtori teknik i përfaqësueses gjermane, Matias Samer.
“Sigurisht që paraqitja jonë nuk do të jetë aq katastrofike sa të na detyrojë të shohim me një sy tjetër punën e shkëlqyer që ka bërë Lëv gjatë të gjithë këtyre viteve në kreun e kombëtares. Por nëse një gjë e tillë ndodh, do të thotë se ne do të kalojmë një periudhë të vështirë me të njëjtin trajner të kombëtares”, deklaroi Samer.
Lëv ka qenë në drejtimin e përfaqësueses gjermane që nga momenti kur Klinsman dha dorëheqjen pas përfundimit të Botërorit 2006. Ai drejtoi skuadrën në finalen e Euro 2008 dhe arriti ta ngjitë në vendin e tretë në Botërorin 2010, duke bërë që kjo kombëtare të cilësohet si favorite për suksesin në Euro 2012, ku ka përfaqësuesen me moshën mesatare më të re të turneut. (LajmeShqip.com)
Sunday, 03 June 2012 15:01