Ish-mbrojtësi i përfaqësueses spanjolle, legjendari Fernando Hierro, mendon se Raul Gonzales do të bëhet një trajner i jashtëzakonshëm sapo të vendosë të braktisë futbollin e luajtur. Hierro e njeh mirë sulmuesin, pasi ka luajtur përkrah tij te Real Madrid dhe gjithashtu me ekipin kombëtar në tre turne madhorë, mes viteve 1998 dhe 2002.
Raul është në fundin e karrierës së tij dhe ka vendosur që të luajë për dy vite në Katar me skuadrën e Al Sad, arsye që e shtyn Hierron të mendojë se lojtari është që tani gati t’ia dalë mbanë si trajner.
“Raul do të bëhet një trajner i shkëlqyer. Drejtimi ka qenë në mendjen e tij që kur ishte 20 vjeç. Atij i pëlqen të flasë, drejtojë, planifikojë. Jepini pak kohë, të bëjë disa vite pushim, të marrë licencat që i nevojiten, por më pas ai do të jetë i gatshëm të shkëlqejë”.
“Ai ishte i shkëlqyer në Gjermani, sikur kishte 15 vite që luante aty. Raul është një shembull për të gjithë, tregoi çfarë do të thotë të jesh një profesionist dhe gjithmonë do të admirohet për këtë sjellje të tij. Nuk kisha asnjë dyshim se do të ishte fitues kur ai vendosi të shkonte në Gjermani, pasi ky sport është hobi i tij dhe ai ka një karakter njerëzor si pakkush”.
“Raul e ka fituar respektin me punë, duke u lodhur çdo ditë. Ai u përshtat me një vend, një kulturë dhe askush nuk i dhuroi asgjë. Duket e logjikshme që ai ka zgjedhur të shkojë në Katar për t’iu gëzuar ende futbollit dhe për të vazhduar të qëndrojë në formë”, deklaroi Hiero, i cili mendon se Raul do të bëjë “eksperimentet” e tij të para si trajner pikërisht në klubin që ka zgjedhur për të mbyllur karrierën e tij si futbollist. (LajmeShqip.com)
Sunday, 03 June 2012 14:10