Bert van Marvijk mendon se kombëtarja e tij është shumë më e fortë se ajo e dy viteve më parë dhe këtë e ka treguar duke mundur 6-0 Irlandën e Veriut në miqësoren e të shtunës. Robin Van Persi (2), Ibrahim Afellai (2), Uesli Shnajder dhe Ron Vlar ndihmuan Holandën të shkojë me entuziazëm drejt Euro 2012 ku shihet si një prej skuadrave pretendente për fitoren e turneut.
“Kemi luajtur kundër një kundërshtari mesatar, po ajo që më lumturon është se finalizimi ynë është përmirësuar ndjeshëm. Me raste ishim të ngadaltë, por kishte disa aksione të mira sulmuese dhe disa gola të bukur që i dhuruam tifozerisë tonë. Nuk kemi mbërritur ende maksimumin tonë, por jemi në rrugën e duhur”.
“Tani kam marrë konfirmimin për dy gjëra, që jemi më të fortë në zonat e gjëra dhe që jemi më të fortë se dy vite më parë në Kupën e Botës. Por askush nuk e ka vendin e sigurtë në këtë kombëtare ndaj Van Der Vart që qëndroi në stol, mund të jetë zgjedhje e parë për ndeshjet e Euro 2012, edhe para Robin Van Persi”, tregoi trajneri i Holandës.
Ndërkohë, Uesli Shanjder ka dashur të shprehë publikisht besimin ndaj Rafael Van Der Vart, Klas-Jan Hunterlar dhe Dirk Kajt, të cilët deri tani kanë patur shumë pak hapësira në formacionin e përfaqësueses holandeze dhe mendohet se do të kenë rol dytësor në Euro 2012.
“Ne jemi të gjithë miq të mirë, që flasim shumë me njëri-tjetrin. Turneu do të jetë i gjatë dhe do të ketë shanse për të gjithë lojtarët. Na duhen të gjithë nëse duam të fitojmë Euro 2012. Rafael i njeh aftësitë e tij dhe ne i njohim ato gjithashtu. Kajt dhe Huntelar do të kenë shanset e tyre”, u shpreh mesfushori i Interit, i cili bashkë me Arjen Roben ka marrë rolin e liderit të skuadrës. (LajmeShqip.com)
Sunday, 03 June 2012 10:50