Trajneri i Portugalisë, Paulo Bento, i ka bërë thirrje skuadrës së tij të vazhdojë të besojë në vetvete edhe pse u mund në mënyrë të papritur nga Turqia me rezultatin 3-1 në miqësoren e të shtunës në darkë. Kristiano Ronaldo humbi një penallti, ndërsa dy gola nga Umut Bulut dhe një autogol i minutave të fundit nga Pepe, dëmtuan rëndë imazhin e Portugalisë që ka një ecuri të dobët prej vetëm 1 fitoreje në 6 ndeshjet e fundit që ka zhvilluar.
Kur kanë mbetur vetëm 6 ditë deri në ndeshjen e parë në Euro 2012 ndaj Gjermanisë, Bento u ka bërë thirrje lojtarëve të vazhdojnë të besojnë në vetvete, pasi ata e dinë forcën e tyre reale.
“Mendoj se ky rezultat ishte i padrejtë, por ne duhet të vazhdojmë të besojmë te ajo që po bëjmë. Nuk duhet të humbim shpresën, mbështetja e tifozëve ishte fantastike, por fatkeqësisht janë rezultatet ato që kanë më shumë rëndësi”.
“Zakonisht, kur humbet, duket se gjithçka ka shkuar keq. Në këtë ndeshje, asgjë nuk shkoi siç duhej të shkonte. Duke parë si filloi ndeshja, ishim ne që duhej të shënonim, por në fakt shënuan ata, ndërsa ne nuk shfrytëzuam rastet e krijuara. Kur deshëm të barazonim, gabuam dhe pësuam një tjetër gol. Kemi pësuar tre gola dhe këto janë gabimet që do të mundohemi të korrigjojmë pas kësaj ndeshje”, tha Bento në konferencën për shtyp. (LajmeShqip.com)
Sunday, 03 June 2012 10:01