Flloid Meiuedher u prangos sot në një sallë gjyqi në Las Vegas dhe u dërgua në qeli për të filluar dënimin e tij prej 90 ditësh burg për dhunë në familje.
Kampioni i pamposhtur në fuqi i peshave velter në WBC, u shoqërua në gjykatë nga miku i tij i ngushtë, reperi 50 Cent, i cili ka një të kaluar pas hekurave të qelive dhe tha se Meiuedher nuk do të kishte probleme në burgun e Nevadas.
Boksieri u dënua me 3 muaj burg që në dhjetorin e vitit të kaluar, pasi pranoi se kishte ushtruar dhunë ndaj ish-të dashurës së tij, Xhozi Herris në vitin 2010, por gjykatësi e lejoi që ta shtynte dënimin për më vonë, në mënyrë që Meiuedher të ndeshej kundër Miguel Koto me 5 maj.
Policia bëri të ditur se i vetmi favor që do të ketë Meiuedher në këto tre muaj, është izolimi nga pjesa tjetër e popullsisë së burgut që aktualisht mban 3 mijë persona. Ai do të qëndrojë i vetëm në qelinë e tij, do të vishet me rrobat e burgut dhe do t’i nënshtrohet të gjitha rregullave të tjera, duke filluar nga zgjimi në orën 4 të mëngjesit. Në orën e pushimit, ai do të lejohet të dalë në ambient të hapur vetëm pasi të jenë futur brenda të gjithë të burgosurit e tjerë, por të pakën ka luksin se qelia e tij ka një dritare që i mundëson t’i bjerë dielli.
Mediat amerikane bënë të ditur se pas përfundimit të këtij dënimi, 35 vjeçari Meiuedher do të tentojë që të organizojë ndeshjen e shumëpritur me rivalin tij të madh Meni Pakuiao, një takim që mund t’u sigurojë të dy boksierëve mbi 200 milionë dollarë. (LajmeShqip.com)
Saturday, 02 June 2012 16:01