Frenk Lampard insiston se nuk do të braktisë përfaqësuesen angleze ndonëse është detyruar të mos marrë pjesë në Euro 2012 për shkak të një dëmtimi që i ndodhi dy ditë më parë. Ai mendohej se do të ishte mes titullarëve në përfaqësuesen e Roi Hodgson, po është detyruar të dorëzojë fanellën me numrin 8 pasi mjekët e kanë këshilluar të khehet në shtëpi.
Megjithëse ai ka pranuar se shanset e tij për të marrë pjesë me fanellën e kombëtares në një aktivitet tjetër madhor janë shumë të vogla, Lampard ka bërë të qartë se nuk dëshiron të marrë vendime të nxituara.
“Nuk di çfarë të them, tani po i mare gjërat si vijnë pas çdo minute. Sigurisht që nuk do ta braktis kombëtaren pas Evropianit, por duhet ta pranoj se pjesëmarrja në Brazil 2014 në moshën 36 vjeçare do të ishte një arritje e jashtëzakonshme për mua, duke marrë parasysh nxehtësinë atje. Do të ishte një udhëtim i jashtëzakonshëm”.
Futbollist 33 vjeçar, që ka regjistruar 90 ndeshje me fanellën e kombëtares në 13 vite, mendon se shoku i tij i skuadrës, Eshli Kol, është një prej “veteranëve” që mund të jenë pjesë e Anglisë në Brazil 2014.
“Unë kam folur me Eshli rreth kësaj çështje një ditë më parë dhe mendoj se Brazili duhet të jetë një objektiv i tij. Ai ka moshën dhe këmbët për ta përballuar një gjë të tillë”.
Në fund, Lampard ka treguar se gjithë kjo atmosferë negative mund të ndikojë në të mirë të kombëtares angleze në fillimin e Euro 2012.
“Unë mendoj se një bonus për të gjithë është kjo atmosferë negative që mbretëron rreth ekipit kombëtar me përzgjedhjet, pezullimet, dëmtimet apo trajnerin e ri. Na jep një këndvështrim tjetër nga ai që kishim më përpara. Zakonisht kemi hyrë në turne duke menduar se mund të ftojmë, ndërsa ky negativitet bën që skuadra të mos e ndjejë kaq shumë trysninë”, tha mesfushori. (LajmeShqip.com)
Saturday, 02 June 2012 11:40