Rusia mundi Italinë me rezultatin 3-0 në miqësoren e fundit përgatitore para Kampionatit Evropian, duke i shkaktuar të kaltërve humbjen e tretë radhazi, siç nuk ka ndodhur në thuajse 30 vitet e fundit, duke mbyllur një javë të tmerrshme për futbollin italian në përgjithësi.
Italia u shfaq e fortë në sulm në pjesën e parë, ku Baloteli, Kasano dhe mesfushorët Markizio e Montolivo kishin shanse për të shënuar në këtë sfidë. Por skuadra e Prandelit ka bërë gabime të njëpasnjëshme në mbrojtje dhe në pjesën e dytë është dorëzuar përballë rusëve vetëm falë gabimeve të saj.
Aleksandër Kerzhakov shënoi golin e parë në minutën e 60-të pasi u harrua i vetëm në zonë. Më pas, ishte Roman Shirokov që përfitoi dy herë nga gabimet e mbrojtësit Kristian Maxhio, për të shënuar në portën e mbrojtur nga Morgan De Sanktis, i aktivizuar në pjesën e dytë në vend të kapitenit Xhixhi Bufon.
Kjo paraqitje e Italisë ka hedhur dyshime shumë të mëdha mbi shanset që ka kjo skuadër për të ecur para në turne, ndonëse mendohej se të kaltrit do të ishin mes protagonistëve të Euro 2012. Katër herë kampionët e botës kanë humbur tre ndeshje radhazi për herë të parë që nga viti 1983, ndërsa kanë 300 minuta që nuk shënojnë gol. (LajmeShqip.com)
Saturday, 02 June 2012 08:40