Boston ka treguar se nuk ka thënë ende fjalën e fundit në finalen e Konferencës së Lindjes, duke mundur Majemin me rezultatin 101-91, për të shkurtuar në 2-1 diferencën në këtë seri.
Razhan Rondo ka vazhduar paraqitjet e tij spektakolare duke qenë vendimtar për Boston me 21 pikë, 6 topa në tabelë e 10 pasime. Por kontributin më të rëndësishëm në këtë ndeshje e ka dhënë padyshim Kevin Garnet, i cli ka shënuar 24 pikë e 11 topa në tabelë, duke u kthyer në shqetësimin kryesor për mbrojtjen e Majemit, pasi askush nuk mund të kontrollonte lojtarin 36 vjeçar që shquhet për lojën e tij nën kosh.
I vetmi që u mundua t’i rezistonte disi Boston ishte LeBron Xhejms, i cili shënoi 34 pikë, 8 topa në tabelë e 5 pasime, duke ndihmuar skuadrën e tij që të shkurtonte diferencën, e cila në fillimin e periodës së katërt shkoi në 24 pikë.
Ndeshja e katërt mes dy skuadrave është të dielën në darkë përsëri në Boston, ku vendasit do të mundohen të barazojnë serinë, të ndërgjegjshëm se kanë gjetur mënyrën për të kaluar skuadrën e Majemit që vazhdon të vuajë mungesën e Kris Bosh. (LajmeShqip.com)
Saturday, 02 June 2012 08:00