Brendan Roxhers është prezantuar si trajneri i ri i Liverpulit me detyrën për të kthyer këtë ekip në majat më të larta. Por trajneri i ri fillimisht do të ketë detyrën shumë më të vështirë për të fituar zemrën e futbollistëve të tij, të cilët shpresonin që në stolin e kësaj skuadre të ulej përsëri Rafael Benitez.
Mendimin e lojtarëve e ka shpjeguar portieri spanjoll Pepe Reina, i cili mendon se Benitez ishte kandidati ideal për të dhe shumë nga shokët e ekipit.
“Për mua dhe shumë prej kolegëve të mi, Rafael Benitez do të ishte kandidati ideal. Nuk është se dua të tregohem objektiv ndaj tij, por ai është trajneri që më përmirësuar më shumë. Ai është më i miri”, ishin fjalët e portierit, një prej veteranëve në radhët e ekipit.
Ndërkohë, Roxhers është shfaqur i qetë, ndërsa ka pranuar se ishte e vështirë të largohej nga klubi ku planifikonte të kalonte shumë vite.
“Ishte e vështirë të largohesha nga Suonsi, ku dëshiroja të kaloja shumë vite të karrierës time. Por jam me fat që më është dhënë kjo mundësi për të drejtuar një klub kaq të madh, të jem pjesë e një dinastie”, ishin fjalët e tij të para si trajneri i Liverpulit. (LajmeShqip.com)
Friday, 01 June 2012 16:01