Trajneri i Mançester Sitit, Roberto Mançini, ka zbuluar strategjinë e radhës së klubit të tij, që pasi ka fituar titullin kampion në Angli, këron të ndërtojë një cikël fitimtar shumëvjeçar. Për këtë arsye, drejtuesit e skuadrës kërkojnë të afrojnë talente të moshës së re, në mënyrë që të ndërtojnë një grup që do të qëndrojë bashkë për shumë vite.
“Sheikët nuk kënaqen lehtë. Duke fituar, e dinë tani se sa e kënaqshme është një gjë e tillë dhe duan ta bëjnë përsëri. Tani preferojmë të blejmë lojtarë 22 apo 23 vjeçarë, të cilët të mund të qëndrojnë për një kohë të gjatë me ne”, tregon ai në një intervistë për “Tuttosport” ku flet edhe për emra të veçantë lojtarësh që janë në përbërje apo që mendohet se janë kërkuar nga klubi anglez.
“Tevez? E kam falur, edhe pse nuk ka luajtur shumë këtë sezon me ne. Do të qëndrojë, gjithmonë nëse nuk na kërkon që ta shesim. Baloteli do të qëndrojë, e ka thënë edhe ai vetë. Blerje në repartin e avancuar? Jo, nëse nuk largohet asnjë prej futbollistëve që kemi tani, edhe pse Van Persi është një lojtar i jashtëzakonshëm. Ai apo Kavani? Janë të ndryshëm, pasi uruguaiani tani është e pamundur të vlerësohet. Ka gjithçka, prandaj kur isha te Interi desha ta merrja në skuadër”.
“Kolarov do të dëshiroja ta mbaja në skuadër, edhe pse nuk po luan shumë. Kielini? Mendoja ta blija një vit më parë por tani jo, kemi shumë mbrojtës. Tiago Silva? Milani nuk do ta shesë dhe dua të sqaroj se ishte Galiani që më ftoi në zyrat e Milanit”, ka treguar trajneri italian i Mançester Sitit. (LajmeShqip.com)
Friday, 01 June 2012 15:00