Andre Vijas Boas është paguar me shifrën jashtëzakonisht të lartë prej 12 milion paund meqë është shkarkuar nga puna para kohe nga pronari i Çelsit, Roman Abramoviç.
Klubi londinez ka konfirmuar se trajneri portugez që drejtoi skuadrën vetëm për 7 muaj, ka zgjidhur më në fund mosmarrëveshjet me ta, në çështjen gjyqësore që ishte hapur menjëherë pas shkarkimit të tij në muajin mars.
Vijas Boas është i lirë të punojë përsëri në cilindo klub tjetër, pasi Abramoviç pranoi kushtet e kontratës, një sjellje e miliarderit rus që i ka kushtuar klubit 76 milion paund vetëm për trajnerë dhe staf teknik në 5 vitet e fundit.
Shifra e 64 milion paund e detajuar në bilancet e vitit të kaluar të Çelsit, përfshinte shpërblimin për largimin nga puna të Zhoze Murinjo, Avram Grant, Luiz Felipe Skolari dhe Karlo Ançeloti. Ndërkohë, Çelsit iu desh të paguajë edhe 10 milionë paund për të “blerë” Vijas Boas pasi ky i fundit kishte një kontratë me Porton para se të kalonte te londinezët dhe u desh të paguante për të.
Kjo do të thotë se në total, fatura për Vijas Boas, i cili kishte një rrogë prej 125 mijë paund në javë, shkon në 32 milion paund, për vetëm 7 muaj punë. (LajmeShqip.com)
Friday, 01 June 2012 13:20