Karriera e Ronaldinjos me klubin më popullor brazilian, Flamengon, ka përfunduar pasi lojtari vendosi të hidhte në gjyq klubin duke kërkuar rreth 20 milionë dollarë për rroga të prapambetura dhe vonesa pagesash.
Avokati i futbollistit, Gislein Nunes tha se një gjykatës kishte vendosur të enjten që lojtari kishte të drejtë të ndërpriste kontratën e tij me kubin. Tani pala e futbollistit pretendon që klubi duhet t’i paguajë atij çdo cent nga paratë që i detyrohet, ndonëse Flamengo po kalon probleme të thella ekonomike dhe për momentin do ta ketë shumë të vështirë të bëjë çfarëdo lloj pagese.
“Ne nuk e pritnim një sjellje të tillë”, tha presidentja e klubit, Patricia Amorim. “Tani çështja ka kaluar në duart e departamentit tonë ligjor që do të marrë masat e nevojshme për të mbrojtur interesat e Flamengos. Ky klub është më i madh se çdo person dhe kështu do të jetë gjithmonë”.
Në një lajmërim për mediat, klubi bëri të qartë se lojtari mori vendimin për t’u larguar pasi kishte munguar katër ditë në stërvitje. Në deklaratë thuhet se Ronaldinjo po hedh në gjyq klubin për borxhe. (LajmeShqip.com)
Friday, 01 June 2012 10:01