Sulmuesi i Barcelonës, David Vija, ka bërë të qartë se mungesa e tij në radhët e kombëtares spanjolle nuk ka aq rëndësi sa i është dhënë gjatë kohëve të fundit. Futbollisti vendosi të mos merrte pjesë në aktivitet pasi po vazhdon të riaftësohet nga një frakturë në tibia, të pësuar që në muajin dhjetor të vitit të kaluar. Mungesa e tij është cilësuar si një goditje e rëndë nga vetë trajneri i përfaqësueses, Visente Del Boske dhe shokët e ekipit, por Vija mendon se Spanja ka shumë alternativa të tjera në repartin e avancuar.
“Normalisht që je i lumtur kur të tjerët ta ndjejnë mungesën, por Spanja nuk do ta ndjejë mungesën time. Ka shumë golashënues në skuadër dhe çdo lojtar i kombëtares mund ta gjejë rrugën e rrjetës. Kam miqësi me Fernando Torres dhe mendoj se është në një formë të mirë pas asaj që kaloi në mënyrë krejtësisht të pamerituar”, tha Vija, i cili më pas shpjegoi vendimin për të mos marrë pjesë në Euro 2012.
“Unë punova deri në fund dhe prita deri në momentin e fundit për të kuptuar se si po shkonte riaftësimi im. Por kur kishin mbetur vetëm pak ditë deri në publikimin e listës, i thashë trajnerit se nuk isha në nivelin e kërkuar për të konkurruar, nuk isha në formën e duhur për ekipin kombëtar dhe nuk do të isha në maksimumin tim. Unë u tregova i ndershëm me veten, Barcelonën dhe Spanjën”.
“Tani Spanja ka fituar të drejtën të cilësohet favorite pas katër viteve të mbushua me suksese. Por kur një turne fillon, çdo skuadër ka të njëjtat mundësi për të fituar”, ishte komenti i lojtarit që mban rekordin e golave me fanellën e përfaqësueses spanjolle. (LajmeShqip.com)
Friday, 01 June 2012 09:20