Franca ka hedhur poshtë dyshimet rreth formës së saj para Euro 2012, duke mundur lehtësisht 2-0 Serbinë në një tjetër ndeshje përgatitore para fillimit të aktivitetit.
Skuadra e Loran Blank kishte vuajtur për të marrë një fitore 3-2 vetëm 3 ditë më parë ndaj Islandës, por ajo ka vepruar krejtësisht ndryshe ndaj kombëtares serbe.
Brenda 16 minutash, francezët kanë zgjidhur ndeshjen me golat e Riberi dhe Malouda, ndërsa kanë humbur më pas raste të tjera para porte, duke vënë në vështirësi të dukshme kundërshtarët.
Por jo çdo gjë ka shkuar siç duhet për ta, pasi mesfushori Jan M’Vila, një prej lojtarëve kryesorë të skuadrës është dëmtuar që në minutat e para të ndeshjes duke ndrydhur keq kyçin e këmbës së djathtë. Stafi mjekësor ka bërë të ditur se lojtari nuk ka pësuar frakturë dhe se mendonte që nuk ishte e nevojshme të zëvendësohej ky lojtar, pasi ai mund të kthehej në formën e duhur para fillimit të aktivitetit. (LajmeShqip.com)
Friday, 01 June 2012 08:03