Tito Vilanova është trajneri i ri i Barcelonës, por zyrtarisht nuk e ka marrë ende një detyrë të tillë pasi nuk ka nënshkruar një kontratë me klubin katalanas. Por ky detaj i “parëndësishëm” do të zgjidhet në javët ne në vijim, ku ish-zëvendësi i Pep Guardiolës do të firmosë për dy vite me klubin katalanas.
Bisedimet mes palëve kanë filluar një javë më parë, ku klubi është përfaqësuar nga Josep Maria Bartomeu dhe Andoni Zubizarreta, ndërsa në emër të Vilanovës është paraqitur Josep Maria Orobitg, i cili është njëkohësisht edhe menaxher i Guardiolës.
Vilanova fillimisht ka kërkuar të bëjë një kontratë njëvjeçare me të drejtë rinovimi, siç vepronte paraardhësi i tij, por katalanasit kanë refuzuar, duke bërë të qartë se klubi nuk do të pranonte me kontrata të këtij lloji. Drejtuesit e Barcelonës kanë shpjeguar se nuk duan të përjetojnë më situatat e nervozizmit si me trajnerin paraardhës, ku çdo vit lindnin dyshime nëse ai do të vazhdonte apo jo.
Si rrjedhojë, Vilanovës i është propozuar që fillimisht të firmosë një kontratë dyvjeçare, e pastaj në mbyllje të sezonit të parë të shihet për ndryshimin apo përmirësimin e saj. Prezantimi “zyrtar” i tij pritet të bëhet në javën e dytë të qershorit, kohë kur e gjithë skuadra do të shkojë me pushime, për t’u mbledhur vetëm një muaj më vonë për fazën përgatitore. Që tani dihet se ndeshja e debutimit do të jetë ajo miqësore e 24 korrikut kundër Hamburgut. (LajmeShqip.com)
Thursday, 31 May 2012 15:00