Majlinda Kelmendi duket se preferon më shumë të garojë nën flamurin olimpik sesa atë kuqezi. Sipas lajmeve të publikuara në mediat ndërkombëtare, Kelmendi ka dërguar një tjetër letër në adresë të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar duke synuar të bindë këtë të fundit ta lërë të garojë si e pavarur dhe jo detyrimisht për Shqipërinë, të cilën sipas vetë fjalëve të saj e ka përdorur për “arsye logjistike”.
“Unë besoj se duke zgjedhur të garoj nën kombësinë time të dytë, atë shqiptare, thjesht për arsye politike, nuk do të ishte në përputhje me shpirtin e Lojërave Olimpike”, shkruan ajo në letrën që i është drejtuar presidentit të KON, Zhak Rozhe.
“Unë kam një pasaportë shqiptare thjesht për arsye logjistike dhe megjithëse kam marrë pjesë në disa aktivitete xhudoje për Shqipërinë dhe kam marrë Bursën Olimpike nëpërmjet Federatës Shqiptare të Xhudos, kjo përfaqëson minoritetin e rasteve, të cilat ndodhën vetëm sepse nuk ka qenë gjithmonë e mundur për të garuar për Kosovën apo si një alete E Pavarur/Individuale”.
“Unë e theksoj se shumica e Pikëve Olimpike janë mbledhur ndërsa kam garuar si një atlete E Pavarur/Individuale nën flamurin e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos. Për më tepër, Federata Kosovare e Xhudos është bërë kohë e fundit një anëtare me të drejta të plota e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos dhe pres me padurim të garoj për Kosovën në aktivitetet e ardhshme ndërkombëtare të familjes tonë botërore të xhudos”.
Por vendimi i Rozhe ka qenë i palëkundur dhe ka përsëritur atë që tha një javë më parë.
“Ajo ka aplikuar për pjesëmarrje nën flamurin Olimpik. Ne studiuam këtë kërkesë por kemi vënë re se është kualifikuar për Shqipërinë, ka marrë Bursë Olimpike për Shqipërinë, ka pasaportë shqiptare dhe Komitet Olimpik Kombëtar Shqiptar është i gatshëm ta përzgjedhë. Meqë nuk plotësoheshin kushtet që ajo të garojë nën flamurin Olimpik, ajo do të jetë në gjendje të garojë nën flamurin shqiptar”, ishte komenti i tij rreth kësaj çështje që ka shkaktuar një debat të gjerë kombëtar e ndërkombëtar.
Tashmë edhe në mediat e huaja është përhapur ideja se Majlinda Kelmendi nuk dëshiron të përfaqësojë Shqipërinë në Londër 2012. (LajmeShqip.com)
Thursday, 31 May 2012 10:47