Klubet e kampionatit anglez të futbollit janë këshilluar që të ulin shpenzimet e tyre pasi një studim i ri tregoi se rrogat e futbollistëve në këtë kampionat ishin ngjitur në nivele rekord, duke kaluar rritjen në të ardhurat e klubeve.
Rrogat në total të kampionatit anglez janë rritur me 201 milionë paund vetëm gjatë sezonit të kaluar, një rritje drastike prej 14% që e çoi totalin në thuajse 1.6 miliard paund, ndërsa të ardhurat e klubeve u rritën vetëm 12% për të kapur shumën 2.27 miliard paund, sipas raportit të audituesit “Deloitte”.
Rritja e rrogave ka bërë që ato të marrin tashmë rreth 70% të fitimeve të siguruara nga klubet angleze, një veprim që bie në kundërshtim me rregulloren e UEFA-s që hyn në fuqi nga viti i ardhshëm.
“Nëse përqindja që marrin rrogat është 70 ose më lart, është shumë e vështirë që klubet të kenë një përfitim sezonal. Sipas pikëpamjes tonë, si kampionat përqindja është shumë e lartë dhe klubet duhet të kthehen diku te 60% që të kenë përfitime dhe të jenë në përputhje me rregullat e UEFA-s. Çdo 1% ulje përkthehet në 20-25 milion paund fitim për klubet”, tha Alan Svitzer, drejtori i grupit të biznesit sportiv në firmën audituese që kreu këtë studim.
Ai bëri të qatë se dy klubet që janë shumë larg standardeve të kërkuara nga UEFA, janë Mançester Siti dhe Çelsi. Nëse brenda sezonit të ardhshëm këto klube nuk arrijnë të ndryshojnë trendin dhe të ulin shpenzimet për të rregulluar bilancet, ato mund të përballen me sanksione që fillojnë nga pezullimi i lojtarëve më të paguar në ndeshjet ndërkombëtare, deri te përjashtimi nga aktivitete si Liga e Kampioneve. (LajmeShqip.com)
Thursday, 31 May 2012 12:30