Trajneri i përfaqësueses gjermane, Joakim Lëv, ka bërë të qartë se nuk do të caktojë një futbollist që t’i qëndrojë mbrapa gjatë gjithë kohës yllit të Portugalisë, Kristiano Ronaldo, në takimin mes këtyre dy kombëtareve në Euro 2012.
Futbollisti i Real Madrid është forca kryesore e sulmit të iberikëve dhe vjen në këtë turne në një formë të shkëlqyer pasi ka shënuar 60 gola në të gjithë aktivitetet me klubin e tij gjatë sezonit 2011-2012.
Lëv është i ndërgjegjshëm për cilësitë e futbollistit në fjalë, por insiston se nuk mund t’i caktojë një futbollisti të veçantë detyrën që të ndjekë portugezin në çdo cep të fushës.
“A do të caktoj Flip Lahm që të ndjekë Kristiano Ronaldon? Unë do të vendos se ku do të luajë ai vetëm kur të arrijmë në Poloni”.
“Por nuk ka sens që të vendosim një lojtar pas Ronaldos gjatë të gjithë ndeshjes. Do të nevojiten tre apo katër futbollistë për ta ndalur atë. Unë nuk dua të rrezikoj situata një kundër një përballë tij”, ka pranuar trajneri i Gjermanisë që i frikësohet aftësive teknike të lojtarit portugez. (LajmeShqip.com)
Thursday, 31 May 2012 10:01