Fitorja 4-1 e Spanjës në miqësoren ndaj Koresë së Jugut ka shërbyer për të treguar formën e mirë që po kalojnë kampionët në fuqi të Evropës dhe Botës, por edhe për të shkruar përfundimisht emrin e Iker Kazijas në librin e rekordeve të futbollit botëror.
Portieri i Spanjës ka vendosur një rekord të ri në futbollin ndërkombëtar, pasi në atë që ishte ndeshja e tij e 130-të me fanellën e kombëtares, ai ka arritur fitoren e 95-të, duke kaluar rekordin që mbahej nga Lilian Turam i Francës dhe Ahmed Hasan i Egjiptit.
I aktivizuar në pjesën e dytë të këtij takimi ku Spanja fitoi me golat e Torres, Ksabi Alonso, Kazorla dhe Negredo, Kazijas nuk pësoi gol, duke regjistruar ndeshjen e tij të 74-t me kombëtaren ku mban rrjetën e paprekur për minutat që aktivizohet.
Njëkohësisht, me takimin e mbrëmshëm, ai u bë portieri i katërt me numrin më të madh të ndeshjeve të luajtura me kombëtaren në botë, duke ndjekur vetëm Mohamed Al-Deaiea të Arabisë Saudite (178), Tomas Raveli të Suedisë (143) dhe Li Uon-Jae (132) të Koresë së Jugut. (LajmeShqip.com)
Thursday, 31 May 2012 09:20