Majemi ka marrë kryesimin 2-0 të serisë ndaj Boston pasi ka fituar me rezultatin 115-111 sfidën e dytë mes këtyre dy skuadrave, ku këtë radhë për të triumfuar i është dashur koha shtesë.
Boston ka qenë në një formë të shkëlqyer në pjesën e parë të takimit duke u shkëputur 15 pikë para falë paraqitjes rekord të Razhan Rondo, i cili e mbylli natën me 44 pikë (maksimumi në karrierë), 8 topa në tabelë dhe 10 pasime.
Por në pjesën e dytë të kësaj ndeshje spektakolare, LeBron Xhejms (34 pikë, 10 topa në tabelë, 7 pasime), Duejn Uejd (23 pikë) dhe Mario Çallmers (22 pikë), shfrytëzuan çdo hapësirë që gjetën për të kthyer ndeshjen dhe për të shkuar në kohën shtesë.
Aty Majemi arriti të kontrollonte lojën falë edhe gabimeve të kundërshtarëve, ku vetëm Rondo dukej në gjendje të depërtonte në mbrojtjen e skuadrës së Floridas, ndonëse luajti çdo sekondë në 53 minutat e kësaj ndeshje. Takimi i tretë i serisë është të premten, ku në fushën e vet Boston do të mundohet të përmbysë rezultatin dhe të kthehet në garë për titullin e Konferencës së Lindjes. (LajmeShqip.com)
Thursday, 31 May 2012 08:02