Rikardo Kaka largohet gjithnjë e më shumë nga Real Madrid dhe po mendon seriozisht që të kthehet në vendlindje, te skuadra e San Paolos ku u formua si futbollist. Braziliani është takuar me kandidatin për president të klubit, Marko Aurelio Kunja, i cili dëshiron ta ftojë atë për të qenë pjesë e skuadrës që në këtë sezon.
Nënte vite pas largimit, Kaka mund të kthehet te klubi ku u bë i famshëm e nga i cili filloi më pas ngjitjen e shkallëve derisa arriti majat e futbollit botëror. Sipas gazetës spanjolle “AS”, takimi në fjalë është zhvilluar në restorantin “Dona Onca” të San Paolo, ndërsa oferta e Kunja i është bërë në cilësinë e anëtarit të bordit drejtues të skuadrës braziliane.
Ndonëse Kaka ka thënë shpesh se do të vazhdojë të qëndrojë te Real Madrid, ai është i tunduar që të gjejë një sistemim tjetër pasi dëshiron të rifitojë kombëtaren braziliane dhe të bëhet protagonist në Botërorin që zhvillohet pas dy vitesh pikërisht në Brazil. Kjo është edhe një prej arsyeve që e shtyn atë drejt pranimit të një oferte nga San Paolo, ku do të ishte idhulli i tifozerisë dhe do të kishte të garantuar vendin në formacion.
Por Real Madrid është i interesuar më shumë që ai të shkojë në Francë, ku PSZH e kërkon me ngulm dhe ka gati që tani një ofertë prej 25 milionë eurosh. Asnjë klub tjetër nuk është në gjendje ta paguajë një shumë të tillë dhe madrilenët po bëjnë të pamundurën që të shtyjnë Kaka drejt takimit në Paris me ish-shokun e skuadrës Leonardo dhe ish-trajnerin Ançeloti. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 30 May 2012 17:30