“Të gjithë nën një ritëm”. Nuk mund të ishte ndryshe slogani i Kampionatit Botëror të vitit 2014 që zhvillohet në vendin e muzikës samba, Brazil. Slogani i ri është prezantuar sot para mediave nga Komiteti Organizator i këtij evenimenti dhe përfaqësues të FIFA-s.
“E bazuar në idenë qendrore të fjalës ritëm, aktiviteti do të bashkojë tifozët në Brazil dhe jashtë tij, rreth asaj që do të jetë një festim i ngjyrosur që ka një ritëm unik brazilian”, ishin fjalët e sekretarit të përgjithshëm të FIFA-s, Zherom Valke. Ky i fundit zhvillonte vizitën e tij të parë në vendin latino-amerikan që pas debatit të muajit mars kur tha se brazilianët “kishin nevojë për një shkelm në prapanicë” pasi ishin vonë me punimet për Botërorin 2014.
FIFA vazhdon të shprehë shqetësimin për përgatitjet e vonuara, të cilat përfshijnë rinovimin dhe ndërtimin nga e para të stadiumeve. Ndonëse kanë mbetur vetëm pak më shumë se dy vite deri në fillimin e aktivitetit që hapet zyrtarisht në Sao Paulo me 12 qershor 2014, sipas qeverisë braziliane rreth 40% e projekteve nuk kanë filluar ende.
Brazili ka planifikuar të shpenzojë 13 miliard dollarë në 101 projekte për të ndërtuar apo modernizuar stadiume, aeroporte, rrugë dhe transport publik para Kampionatit Botëror, por puna ka filluar vetëm në 60 prej këtyre projekteve. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 30 May 2012 15:57