Tronditjet e forta të tërmetit në krahinën e Emilia-Romanja kanë sjellë anulimin e ndeshjes miqësore mes Italisë dhe Luksemburgut, të planifikuar të zhvillohej sonte në stadiumin e qytetit të Parmës, që është pikërisht në zonën e tërmetit.
Edhe lojtarët e përfaqësueses italiane i kanë ndjerë tronditjet e forta në orët e para të mëngjesit dhe kanë dalë menjëherë nga hoteli i tyre. Pas pak orësh, ata kanë mësuar për anulimin e kësaj ndeshjen për respekt ndaj viktimave dhe ekipi është kthyer në Firence, ku do të vazhdojë rregullisht grumbullimin përgatitor për Euro 2012.
Ndërkohë, janë konfirmuar 23 emrat e përfaqësueses që do të marrë pjesë në Euro 2012. Ashtu siç pritej, në listë është përfshirë mbrojtësi i Juventusit, Leonardo Bonuçi, ndonëse emri i tij është mes atyre të hetuar për manipulimin e ndeshjeve në Serinë A.
Jashtë listës janë lënë mbrojtësi Andrea Ranokia i Interit dhe sulmuesi Matia Destro i Sienës, të cilët gjithsesi janë dy rezervat e para nëse përfaqësuesja ka ndonjë dëmtim në javën në vazhdim. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 29 May 2012 15:27