Ferrari ëndërron të formojë dyshen më të fortë të pilotëve të Formula 1, Fernando Alonso përkrah Sebastian Vetel. Sipas asaj që ka zbuluar revista gjermane “Bild”, kjo ëndërr e italianëve mund të bëhet realitet më para se sa e mendonin.
Piloti gjerman ka mundësinë që të largohet nga skuadra e tij që në përfundimin e botërorit të vitit 2013, për t’iu bashkuar Ferrarit. Revista ka zbuluar se në kontratën e tij ekziston një klauzolë që i mundëson atij të largohet një vit para përfundimit të saj, që zyrtarisht mbyllet në vitin 2014.
Përgjegjësi i Red Bull, Helmut Marko, ka konfirmuar praninë e një klauzole të tillë. “Për vitin 2013 është e sigurt që do të qëndrojë me ne, por për vitin 2014 ekziston një klauzolë që lidhet me paraqitjet, e vlefshme si për të, ashtu edhe për skuadrën”.
Nga ana e tij, piloti gjerman ka saktësuar menjëherë se nuk ka firmosur asnjë parakontratë me Ferrarin, siç mund të spekulohej në media. “Nuk e di se për çfarë bëhet fjalë pasi nuk kam firmosur me asnjë skuadër tjetër përveç skuadrës time, Red Bull”, ishin fjalët e Vetel.
Por skuadra Ferrari është e bindur se mund të bëjë të vetin pilotin gjerman, ashtu siç mundi të afronte Alonson, të cilin e bëri pjesë të ekipit dhe tani po mundohet t’i ofrojë një makinë që mund ta shpallë kampion bote. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 29 May 2012 14:06