Vendimi i FIFA-s për të njohur Kosovën dhe për të lejuar zhvillimin e ndeshjeve miqësore të kombëtareve të këtij vendi, ka vënë në lëvizje shtetin kosovar që do të gjendet sa më i përgatitur në momentin kur ky vendim të zyrtarizohet.
Por kryeministri kosovar Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se kushdo qoftë kundërshtari i Kosovës në miqësore, ndeshja e parë “zyrtare” e përfaqësueses së këtij vendi do të luhet në stadiumin e qytetit të Mitrovicës që mban emrin e heroit “Adem Jashari”.
Duke folur në fillimin e punimeve për rinovimin e palestrës “Minatori” në qytetin e Mitrovicës, kryeministri i Kosovës ka premtuar se kombëtarja do të vijë në këtë qytet për të luajtur ndeshjen e saj të parë por pa bërë të ditur se ndaj kujt do të luhet dhe me cilën datë.
Prej rreth në jave, përflitet se Turqia është kundërshtari i parë i Kosovës në momentin kur do të zyrtarizohet vendimi i FIFA-s, por deri tani nuk ka asnjë konfirmim nga palët e përfshira. Përpara se të caktohet stadiumi ku duhet të luhet ndeshja e parë, duhet që FFK dhe qeveria e Kosovës të vihen në lëvizje për të përmirësuar ambientet e stadiumeve të futbollit në të cilat pritet të luhen këto ndeshje ndërkombëtare. (LajmeShqip.com)
Monday, 28 May 2012 21:05