Trajneri i përfaqësueses gjermane, Joakim Lëv, ka vendosur që të mos marrë me vete në Poloni dhe Ukrainë sulmuesin 31 vjeçar Kakau, një nga lojtarët më me eksperiencë në përbërjen e kombëtares.
Meqenëse Lëv kishte bërë një listë fillestare prej 27 emrash, atij i është dashur të largojë katër futbollistë dhe sulmuesit Kakau i janë bashkuar portieri Mark-Andre Ter Shtegen dhe mesfushorët Julian Draksler e Sven Bender.
“Ashtu si lojtarët e rinj, edhe unë kam mbetur i zhgënjyer, por vazhdoj ta cilësoj veten pjesë të skuadrës dhe uroj me zemër që kombëtarja të zhvillojë një Evropian sa më të mirë”, tha Kakau i cili sot u kthye në shtëpi.
Në skuadrën përfundimtare prej 23 emrash, bie në sy numri i madh i futbollistëve të Bajern Mynih, pasi janë 8 të tillë në përbërjen e Gjermanisë, ndërsa vetëm 4 janë lojtarët të cilët fituan dy trofe këtë sezon me fanellën e Borusia Dortmund. (LajmeShqip.com)
Monday, 28 May 2012 18:59