Shefi i klubit Bajern Mynih, Karl Hainc Rumenige, ka zbuluar se ka ende makthe çdo ditë për finalen e Ligës së Kampioneve të humbur përballë Çelsit.
Bavarezët po kryesonin 1-0 deri 2 minuta para përfundimit të kohës së rregullt të ndeshjes, para se të humbnin një penallti gjatë kohëve shtesë dhe më pas të mundeshin me penallti nga skuadra angleze.
“Sapo zgjohem në mëngjes, gjeja e parë që më shkon në mendje është gjithmonë humbja përballë Çelsit”, tregoi ai për “Welt am Sonntag”. “Dhimbja që ndjen klubi ynë është aq e madhe sa kalon atë që ndjemë pas humbjes me Mançester Junajtid në finalen e vitit 1999”.
“Ndjej se kjo humbje do të na bëjë të vuajmë për shumë kohë. Unë kam humbur dy finale në Kupën e Botës, në vitin 1982 dhe 1986, ndërsa nga eksperienca ime kam mësuar se vetëm koha shëron plagët”.
Bajern këtë sezon përfundoi i dyti në çdo turne, pasi në Gjermani u mund si në kampionat, ashtu edhe në Kupë nga Borusia Dortmund. (LajmeShqip.com)
Monday, 28 May 2012 08:40