Manu Xhinobili është kthyer protagonist duke udhëhequr skuadrën e San Antonio drejt suksesit të rëndësishëm 101-98 ndaj Oklahoma për të marrë fitoren e parë në finalen e Konferencës së Perëndimit. Argjentinasi shënoi 26 pikë për të vazhduar ecurinë pozitive të teksanëve që tashmë regjistrojnë 19 fitore radhazi, përfshirë edhe ato në sezonin e rregullt.
Tim Dankan shtoi 16 pikë e 11 topa në tabelë, ndërsa Toni Parker 18 pikë, 8 topa në tabelë e 6 pasime, për të treguar se ky ekip “veteranësh” nuk vuan shumë përballë Oklahoma që ka një prej skuadrave me mesataren e moshës më të re dhe atletike të kampionatit.
Kevin Durant ishte në formën e tij të zakonshme për miqtë, duke shënuar 27 pikë e 10 topa në tabelë, ndërsa ndihma më e madhe erdhi nga Xhejms Harden, që shtoi 19 pikë e 6 topa në tabelë. Rasëll Uestbruk nuk ishte në ditën e tij më të mirë, pasi shënoi 17 pikë, duke realizuar vetëm 7 nga 21 gjuajtjet e tentuara nga fusha.
Sfida e dytë mes dy skuadrave është përsëri në Teksas të martën në darkë dhe aty San Antonio do të tentojë të bëhet skuadra e katërt në histori që arrin të fitojë 20 ndeshje radhazi. (LajmeShqip.com)
Monday, 28 May 2012 08:03