Franca ka marrë një goditjet rëndë pasi është mësuar se sulmuesi Loik Remi nuk do të marrë pjesë në Euro 2012 për shkak të dëmtimit që ka pësuar në javët e fundit të kampionatit.
Futbollisti i Marsejës ishte në dyshim për pjesëmarrjen e tij që pas dëmtimit që pësoi në ndeshjen kundër Okser me 13 maj.
Trajneri Blank vendosi t’i besonte deri në fund mundësisë së riaftësimit të futbollistit dhe e përfshiu në listën paraprake të kombëtares franceze të futbollit. Por Federata Franceze lajmëroi se Remi do ta kishte të pamundur të merrte pjesë në këtë aktivitet.
“Pavarësisht kurimit të vazhdueshëm, skanimet kanë treguar se dëmtimi nuk është shëruar mjaftueshëm”, shkruhet në deklaratën e publikuar nga FFF.
“Ka shumë pak kohë mes të sotmes dhe Euro 2012 që të pritet kthimi i lojtarit në nivele konkurruese, ndaj trajneri Loran Blank dhe stafi mjekësor kanë vendosur që të mos e mbajnë më atë pranë skuadrës për këtë aktivitet”.
Remi, i cili ishte titullar përkrah Benzema në radhët e Francës gjatë eliminatoreve të Euro 2012, ka shënuar 12 gola në 29 ndeshje me fanellën e Marsejës në këtë sezon. (LajmeShqip.com)
Saturday, 26 May 2012 09:35