Zlatan Ibrahimoviç vazhdon të sillet në mënyrë të pakuptimtë me Milanin, sulmuesi suedez nuk ka ngurruar të flasë në shtyp për problemet ekonomike të skuadrës, duke treguar pamundësinë e kuqezinjve që të afrojnë lojtarë cilësorë në merkato.
“Problemi te Milani është situata ekonomike, por unë do të respektoj kontratën time. Në korrik do të kthehem në stërvitje te Milan, por për momentin, klubi nuk ka mjetet financiare për të blerë 5 lojtarët që i nevojiten. Janë blerë dy deri tani, ndoshta mund të vijë edhe nj i tretë”, ka thënë ai për “Aftonbladet”.
Ndonëse klubi i Milanit nuk ka reaguar zyrtarisht pas këtyre deklaratave, disa nga mediat që janë në pronësi të Berluskonit kanë bërë të qartë se drejtuesit kuqezi nuk kanë ngurruar të kundështojnë sulmuesin. Atij i është kujtuar se familja Berluskoni harxhon në një sezon 190 milionë euro në rroga e 300 milionë euro të tjera për menaxhimin e skuadrës. Sipas tyre, ishte e çuditshme që këto fjalë vinin nga një futbollist i cili përfiton 12 milionë euro në sezon, po aq sa Lionel Mesi.
Në një situatë të tillë,ka ndërhyrë menjëherë menaxheri Mino Raiola, i cili është munduar që të qetësojë situatën.
“Ibra njeh programet e Milanit dhe është i lumtur, Ndoshta është shprehur gabim, ai fliste për një moment të krizës ekonomike botërore dhe kjo reflektohet edhe në botën e futbollit. Por ai nuk dëshironte të thoshte se Milani nuk ka para. Zlatan më ka thënë shprehimisht të theksoj këtë gjë dhe të them gjithashtu se Milani i ka kthyer buzëqeshjen, arsye për të cilën do t’i jetë mirënjohës përjetë, pasi i ka dhënë gëzimin në futboll dhe në jetë”, ishin fjalët e Raiolas. (LajmeShqip.com)
Saturday, 26 May 2012 09:01