Barcelona ka fituar Kupën e Mbretit përballë Atletik Bilbao duke i dhënë lamtumirën e duhur trajnerit Pep Guardiola i cili ikën pas katër viteve të kaluara me shumë suksese në radhët e këtij klubi. Dy gola të Pedro dhe goli i 73-të sezonal i Lionel Mesit mjaftuan për katalanasit të cilët zgjidhën ndeshjen shumë shpejt duke garantuar trofeun e 14-të të epokës Guardiola.
Guardiola është larguar nga drejtimi i skuadrës me 3 tituj Kampion të Spanjës, 2 Liga Kampionesh, 2 Botërorë për Klube FIFA, 2 Superkupa UEFA, 3 Superkupa Spanje dhe 2 Kupa Spanje.
“14 tituj në 4 vite është një standard shumë i lartë ndaj jam i lumtur që largohem nga klubi në pozita të mira. Sot kemi luajtur 35 minuta të para të shkëlqyera, ndërsa kemi patur 4 vite shumë të mira, ndaj largohem i kënaqur”, tha Guardiola para mediave në përfundimin e ndeshjes.
“Nga Mesi unë kam mësuar të jem dhe më konkurrues se sa kam qenë gjithë karrierën time. Pa atë, ne nuk do të kishim fituar numrin e titujve që kemi dhe jam shumë i privilegjuar që kam stërvitur atë që për mua është lojtari më i mirë që kam parë ndonjëherë”, ishin elozhet e Guardiolës për argjentinasin në konferencën e tij të fundit për shtyp si trajner i Barcelonës. (LajmeShqip.com)
Saturday, 26 May 2012 08:03