Trajneri i Holandës, Bert Van Marvijk, ka kritikuar ashpër trajtimin “skandaloz” që i është bërë Arjen Roben nga tifozët e Bajern Mynih gjatë miqësores që kjo skuadër zhvilloi me përfaqësuesen holandeze dy ditë më parë.
“Mënyra se si Arjen u trajtua në Mynih dy ditë më parë është skandaloze. Arjen ishte shumë i mërzitur rreth kësaj ngjarje por unë shpresoj që ai të kthehet më i fortë nga kjo eksperiencë”, tregoi trajneri i përfaqësueses holandeze.
Ndonëse lojtari ka rinovuar kohët e fundit kontratën e tij me klubin bavarez deri në vitin 2015, kanë lindur dyshime nëse ai do ta çojë atë deri në fund pas kësaj ngjarje. “Ai është i mirëpritur kur të dojë te Interi!”, ishte ftesa publike që iu bë futbollistit nga shoku i tij Uesli Sanjder në një intervistë për “ANP”.
Në një situatë të tillë, Bajern Mynih u detyrua të reagonte nëpërmjet një deklarate, duke thënë se e shihte sjelljen e tifozëve ndaj futbollistit “të habitshme, irrituese dhe zhgënjyese”.
“Askush nuk ka të drejtë të vërshëllejë lojtarët tanë”, deklaroi shefi i klubit, Karl Hainc Rumenige. “Roben, ashtu si shokët e tij dhe tifozët, ishte i zhgënjyer dhe shumë i tronditur nga humbja e pafat dhe e pamerituar ndaj Çelsit në Ligën e Kampioneve”, vijoi ai, duke bërë të ditur se shumë prej tifozëve e kishin kontaktuar klubin duke kërkuar falje për këtë ngjarje. (LajmeShqip.com)
Thursday, 24 May 2012 09:20