FIFA i ka kërkuar Federatës Serbe të Futbollit një takim ku do të diskutohet në lidhje me vendimin e Komitetit Ekzekutiv të institucionit që drejton futbollin botëror për të lejuar zhvillimin e ndeshjeve miqësore të kombëtareve të futbollit të Kosovës. Në një letër që Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s, Zherom Valke, i ka dërguar sot presidentit të Federatës Serbe të Futbollit, Tomisllav Karaxhiç, janë shpjeguar arsyet e vendimit të marrë një ditë më parë.
“Duke parë kërkesat e vazhdueshme zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës gjatë dy viteve të fundit, Komiteti Ekzekutiv pranoi gjatë mbledhjes së fundit të lejonte anëtarët e FIFA-s që të luanin ndeshje ndërkombëtare me skuadrat e FFK, që nuk është një anëtar i FIFA.
Ky vendim është marrë në bazë të nenit 79 të Statutit të FIFA-s, i cili parashikon mundësinë që anëtarët e FIFA-s mund të luajnë kundër vendeve jo-anëtarë (si FFK), nëse FIFA i jep autorizim. Duhet theksuar se anëtarët evropianë të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s abstenuan gjatë vendimit.
Duam të theksojmë që Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s bëri të qatë se ky autorizim nuk përbën një hap drejt anëtarësimit në FIFA, i cili varet nga konsiderata të tjera. Në veçanti dhe në përputhje me statutet e FIFA-s, për sa kohë që FFK nuk është një anëtar i UEFA-s, nuk mund të bëhet anëtar i FIFA-s. Vendimi i marrë kishte si qëllim vetëm zhvillimin e sportit tonë.
Siç është diskutuar sot në Budapest, ne do të dëshironim t’ju ftonim në një takim në shtëpinë e FIFA-s, në Zyrih, me 31 maj 2012, bashkë me përfaqësues të UEFA-s. Në këtë takim do të jemi në gjendje të diskutojmë implikimet e vendimit dhe modalitetet e implementimit. Përfundimet e takimit tonë do t’i kalojnë mbledhjes së jashtëzakonshme të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s që është planifikuar me 4 korrik 2012”, shkruhet në letrën e FIFA-s.
Kjo letër u dërgua pasi presidenti i FIFA-s, Sep Blater,u përball sot me kundërshtimin e disa prej federatave evropiane në lidhje me vendimin e marrë kundrejt Kosovës. Siç dihet, Serbia ka lobuar prej kohësh në UEFA dhe FIFA që federatat anëtare të mos lejohen të luajnë ndeshje ndërkombëtare me Kosovën. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 23 May 2012 19:33