Juventusi kërkon një sezon edhe më të mirë në vitin e ardhshëm e për këtë arse ka menduar si të përforcohet sa më parë me një lojtar elitar në repartin avancuar, aty ku i nevojitet një futbollist që të mbajë numrin 10 që ka lënë trashëgimi Alesandro Del Piero.
“Van Persi, Suarez dhe Higuain? Një nga këto tre do të jetë futbollist i yni”, ishte premtimi që bëri drejtori sportiv i Juventusit, Bepe Marota, në një intervistë të dhënë për mediat italiane. Ai ka pranuar se emri që po ndiqet më me vëmendje për momentin është Robin Van Peris, ndonëse ky i fundit kërkon një rrogë shumë të lartë.
“E kemi zgjidhur këtë situatë me bonuse, kemi ndërtuar që tani një model ku rritet pak rreziku i përfshirjes së lojtarëve. Nëse një klub fiton, është e drejtë që protagonistët kryesorë të përfshihen. Van Persi është një prej lojtarëve më të mirë në qarkullim. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Higuain dhe Suarez”.
“Kavani? Duhet marrë në konsideratë edhe dëshira për ta shitur e klubit që e zotëron për momentin. Baloteli? Nuk e kemi kërkuar asnjëherë, pasi në profilin e sulmuesit që kërkojmë, nuk hyjnë vetëm aftësitë teknike. Xhovinko? Kemi patur gjithmonë besim te ai por duhej të tregonte më përpara që ishte një lojtar i madh. Sot ai është i tillë dhe do të ulemi të diskutojmë me Parmën nëse do ta kthejmë në skuadër apo nëse do të gjejmë sistemim tjetër për të”, ka treguar drejtuesi i merkatos bardhezi. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 23 May 2012 13:20