Didier Drogba lajmëroi zyrtarisht se do të largohet nga Çelsi në fundin e këtij muaji, ndërsa më pas tha se beson që zëvendësues i tij perfekt është Fernando Torres.
Sulmuesi, i cili tha se do të kishte qëndruar te klubi nëse nuk do të kishte fituar Ligën e Kampioneve, mendon se tani ka arritur gjithçka me londinezët dhe për këtë arsye do të largohet.
“Ata u munduan të më mbanin në skuadër, por pasi ke kaluar 8 vite duke u munduar të arrish diçka dhe në fund ia del mbanë, të vjen natyrshëm pyetja “Po tani?”. Unë i tregova vendimin shefit (Roman Abramoviç) dhe ai mu përgjigj se i kuptonte ndjenjat e mia dhe se unë kam gjak blu e do të mbetem përjetësisht një futbollist i Çelsit”.
“Tani fillon një epokë e re dhe mendoj se Çelsi është në duar të mira me Fernandon. Ai do të jetë në gjendje ta bëjë këtë detyrë. Ka kaluar momente të vështira por mua mu deshën 3 vite për t’u përshtatur krejtësisht në këtë klub, nuk është e lehtë të luash këtu”.
Sulmuesi, i cili ka oferta nga Evropa, kampionati amerikan i futbollit dhe Kina, ka premtuar se nuk do të luajë për asnjë ekip tjetër anglez, por gjithashtu se një ditë mund të kthehet te Çelsi.
“Ndoshta ndonjë ditë mund të kthehem si trajner. Nëse ma kërkojnë, do të vi edhe të korr barin e fushës”, ishte batuta e 34 vjeçarit. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 23 May 2012 10:00