Presidenti i Juventusit, Andrea Anjeli, vazhdon të insistojë se skuadra e tij ka 30 tituj kampion dhe se nuk i intereson aspak se çfarë mund të thonë kundërshtarët.
“Kemi inauguruar stadiumin e muzeun, si dhe kemi fituar titullin tonë të 30-të kampion pa humbur asnjë ndeshje. Kur shkoj në muze, shoh 30 trofe kombëtarë të ekspozuar aty, ndaj nuk më interesojnë polemikat që bëjnë të tjerët. Ky ka qenë një sezon i shkëlqyer”.
Më pas, ai ka folur edhe për çështjen e manipulimit të ndeshjeve, ku është përfshirë edhe emri i trajnerit të bardhezinjve, Antonio Konte, për periudhën kur drejtonte skuadrën e Sienës.
“Presim dhe shohim nëse do të thirret për të dëshmuar para hetuesve. Kam besim të plotë te puna e këtyre të fundi. Deri tani kemi lexuar vetëm gjëra që kanë dalë nëpër gazeta”, ishin fjalët e presidentit të bardhezinjve.
Në fakt, klubi i Juventus po mendon që t’i zgjatë dhe përmirësojë kontratën trajnerit të tyre, pavarësisht dënimit apo jo në çështjen e manipulimit të ndeshjeve.
Mendohet që kontrata e re të jetë deri në vitin 2015, ndërsa Konte do të përfitojë 3 milionë euro në vit, një dyfishim i shumës që përfitonte deri tani. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 22 May 2012 16:24