Iker Kazijas mendon se mbrojtja e titullit Kampion Evrope do të jetë shumë më e vështirë për Spanjën sesa fitorja për herë të parë e këtij trofeu, pasi iberikët nuk kanë më në dispozicion elementin e surprizës.
Ndonëse kombëtarja spanjolle cilësohej një prej më të fortave në botë para fillimit të Euro 2008, zhgënjimet e tyre të vazhdueshme bënin që të gjithë të mos i cilësonin spanjollët si pretendentë për të fituar trofe të rëndësishëm. Por pas suksesit në Euro 2008 dhe Botërorin 2010, tashmë spanjollët janë favoritë kryesorë për të fituar aktivitetin që zhvillohet në Poloni dhe Ukrainë.
“Problemi është se nuk shkojmë në këtë aktivitet ashtu si katër vite më parë. Ne ishim të njohur atëherë, por ishim në gjendje që gradualisht të çuditnim njerëzit dhe arritëm të fitonim turneun. Por sot, të gjithë në futboll e njohin Spanjën”.
Por nuk është i të njëjtit mendim ish-trajneri Luis Aragones, personi që udhëhoqi këtë kombëtare drejt triumfit katër vite më parë duke thyer një seri të gjatë dështimesh të kombëtares iberike.
“Kam qenë optimist gjatë Kupës së Botës dhe vazhdoj të jem optimist edhe tani. Ata po tentojnë të bëhen e vetmja skuadër në histori që arrin të fitojë tre turne madhorë radhazi dhe kjo do të jetë shumë e vështirë. Por unë mendoj se Del Boske dhe skuadra po ecin në rrugën e duhur. Jemi favoritë dhe besoj se do ta mbrojmë titullin”, tha trajner 74 vjeçar.
Spanja është në një grup me Italinë, Irlandën dhe Kroacinë, ndërsa ndeshjen e parë në grup e ka pikërisht përballë përfaqësueses italiane. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 22 May 2012 10:01