Roberto Mançini ka qenë sot në zyrat e Milanit për të diskutuar blerjen e mbrojtësit brazilian Tiago Silva nga Mançester Siti.
Kjo është ajo që bëjnë të ditur mediat italiane të cilat kanë ndjekur me kureshtje vizitën ish-trajnerit të Interit në zyrat e Milanit, ku përveç Galianit ka qenë i pranishëm edhe trajneri i kuqezinjve, Masmiliano Alegri.
“A isha këtu për Ibrahimoviç? Jo, tifozët e Milanit mund të rrinë të qetë”, ishin fjalët e Mançinit pas largimit nga selia e klubit kuqezi.
Sipas “Sky Sport 24”, në këtë takim është folur vetëm për transferimin e brazilianit Tiago Silva te kampionët e Anglisë. Mançester Siti është në kërkim të një qendërmbrojtësi dhe i ka kërkuar klubit italian gatishmërinë për të filluar negociatat.
Sipas po të njëjtit burim, Galiani ka folur edhe më parë me anglezët për një transferim të tij, ndërsa Mançinit i është konfirmuar se vlera e kartonit të lojtarit është 50 milionë euro.
Trajner italian është munduar që të përfshijë në marrëveshje Balotelin, ashtu si edhe mbrojtësin Kolarov të cilin Milani e kërkon prej kohësh në huazim. Por kuqezinjtë kanë bërë të qartë se për të lejuar largimin e mbrojtësit brazilian, do të pranojnë vetëm nëse sheikët bëjnë gati çekun prej 50 milionë eurosh. (LajmeShqip.com)
Monday, 21 May 2012 19:25