Çelsi nuk ka patur shumë kohë të festojë, pasi tani duhet të mendoj seriozisht se çfarë do të ndodhë në të ardhmen e këtij klubi. Problemi kryesor është ai i trajnerit, ku Roberto Di Mateo nuk është konfirmuar ende, ndonëse ka fituar dy trofe në këtë sezon, mes të cilëve atë më të lakmuarin nga pronari Roman Abramoviç, Ligën e Kampioneve.
Teknikut italian nuk i mungojnë oferta, ku zyrtare janë ato të Lacios dhe të Aston Vilës, ndërsa ka bërë të ditur se vetëm në fillimin e muajit të ardhshëm do të marrë vendimin përfundimtar, pasi të ketë dëgjuar më parë Çelsin.
Problemi i dytë madhor është se si do të reagojë tifozeria pas largimit të Didier Drogba. Statusi i heroit legjendar që ka fituar sulmuesin nga Bregu i Fildishtë, e bën të pamundur zëvendësimin e tij dhe për këtë arsye drejtuesit londinez janë në mëdyshje nëse do ta lënë të largohet drejt Kinës, apo nëse do të rinovojnë me të.
Nëse shumë lojtarë janë në fundin e kontratës dhe pritet të largohen, një futbollist nën kontratë si Fernando Torres, ka bërë të qartë se kërkon më shumë hapësirë, në të kundërt do të kërkojë edhe ai largimin nga Çelsi.
“Nuk më lanë as të gjuaja penalltitë. Ndjej se këtë sezon më kanë trajtuar jo në mënyrën që më kishin premtuar kur më sollën këtë. Sapo të mbarojë ky sezon, do të ulemi të bisedojmë për të ardhmen, pasi ky nuk është roli për të cilin kam ardhur në këtë skuadër dhe nuk jam i lumtur”, tha sulmuesi spanjoll.
“Ka qenë zhgënjimi më i madh në karrierën time kur pashë se isha jashtë formacionit tullar në këtë ndeshje. Kam kaluar shumë momente të vështira në këtë sezon dhe nuk dua t’i përjetoj më”, ishte ultimatumi i Torres. (LajmeShqip.com)
Monday, 21 May 2012 16:01