Goditja e parë e merkatos së Interit quhet Rodrigo Palasio. Falë 11 milionë eurove të vënë në tavolinë nga Masimo Morati, presidenti i Xhenoas, Enriko Preciozi ka dhënë miratimin e tij për transferimin e sulmuesit argjentinas në radhët e skuadrës zikaltër.
Për të siguruar shërbimet e lojtarit, Interi është dashur të mundë konkurrencën e Romës dhe të Napolit, të cilët ishin përfshirë në bisedime me Xhenoan, por asnjë prej tyre nuk ofronte para, por vetëm shkëmbim futbollistësh.
Si rrjedhojë, Interi braktis përfundimisht pistën Laveci, ndërsa zgjedh një tjetër argjentinas që do të luajë në repartin avancuar përkrah Milito dhe Pacini, ndërsa duket se shumë shpejt nga kjo skuadër do të largohet Diego Forlan, për të cilin nuk ka më hapësira.
Ndërsa pritet konfirmimi i Stramaçionit në pankinën e klubit zikaltër, është mësuar se Uesli Shnajder nuk do të shitet, pas është pjesë thelbësore e projektit të ri të Interit. Lojtari ka bërë të qartë se trajneri ka dashur ta ruajë atë nga një dëmtim i mundshëm duke mos e aktivizuar në ndeshjen e fundit kundër Lacios, një pakt i cili tregon shumë qartë se marrëdhëniet e tij me klubin janë kthyer si më parë dhe se ai beson që mund të kthejë skuadrën në majat më të larta. (LajmeShqip.com)
Monday, 21 May 2012 15:01