San Antonio është finalistja e parë e Konferencës së Perëndimit pasi ka mbyllur një tjetër seri me rezultatin 4-0 duke eliminuar LA Klipërs. Teksanët kanë fituar një tjetër ndeshje në fushën kundërshtare me rezultatin 102-99, duke kaluar kalifornianët të cilëve u mungonte dukshëm eksperienca në këto nivele. Tim Dankan me 21 pikë e 9 topa në tabelë ishte protagonist për San Antonion që ka një ecuri pozitive prej 18 fitoresh radhazi, po të llogaritet edhe sezoni i rregullt. Ndërkohë, LA Klipërs duhet të fajësojë veten pasi kishte shansin që të paktën të merrte fitoren e nderit, pasi Kris Pol ka humbur dy herë radhazi mundësinë për të shënuar koshin e një fitoreje të mundshme në sekondat e fundit të ndeshjes.
Majemi është kthyer në garë në gjysmëfinalet e Konferencës së Lindjes, pasi ka rifituar faktorin fushë, duke çuar serinë në 2-2 ndaj Indianas. LeBron Xhejms me 40 pikë, 18 topa në tabelë dhe 9 pasime ka qenë heroi i mbrëmjes, ndërsa është ndihmuar nga Duejn Uejd me 30 pikë, 9 topa në tabelë e 6 pasime. Dy yjet e Majemit kanë shkatërruar të vetëm mbrojtjen e Indianas, duke rikuperuar një disavantazh prej 10 pikësh në periodën e tretë e pastaj duke u shkëputur për të marrë fitoren. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Majemi(2)-Indiana(2) 101-93
San Antonio(4)-LA Klipërs(0) 102-99
Sonte
Filadelfia (2)-Boston (2)
LA Leikërs (1)-Oklahoma (3)
Monday, 21 May 2012 10:50